Kompania e telekomunikacionit e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) "Etisalat" njoftoi se bëri pa pagesë komunikimin me Türkiye-n dhe Sirinë për një javë pas tërmeteve me qendër në Kahramanmaraş të Türkiye-s, të cilët u cilësuan si "katastrofa e shekullit".

 

Në lajmin e agjencisë zyrtare të lajmeve të vendit, "WAM" thuhet se "për një javë do të ofrohen shërbime komunikimi falas me të dyja vendet si një nga hapat e solidaritetit me vendet mike dhe vëllazërore të goditura nga tërmeti".

 

Në deklaratën e publikuar në faqen e internetit të "Etisalat", thuhet se do të ofrohen 1.000 minuta shërbimi pa pagesë, i vlefshëm nga data 9-16 shkurt, për klientët në EBA për të komunikuar me të afërmit e tyre në Türkiye dhe Siri.

 

Në deklaratë thuhet se edhe telefonatat që vijnë nga të dyja vendet do të bëhen pa pagesë.

 

Thirrje për ndihmë nga Këshilli i Fetvasë për Türkiye-n dhe Sirinë

 

Në një deklaratë me shkrim nga Këshilli i Fetvave të EBA-së u bë thirrje për të mbështetur fushatën e ndihmës të nisur nga Gjysmëhëna e Kuqe e EBA-së për rajonet në Türkiye dhe Siri të prekura nga tërmetet.

 

Këshilli i Fetvasë në deklaratën ku uron mëshirën e Zotit për ata që humbën jetën në tërmetet dhe durimin për të mbijetuarit falënderoi Gjysmëhënë e Kuqe të EBA-së dhe organizatat tjera për nisjen e një fushate mbështetëse për rajonet e tërmeteve gjatë kësaj periudhe të jashtëzakonshme.

 

Pas tërmeteve me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë sipas shkallës së Rihterit që prekën 10 provinca në Kahramanmaraş, EBA, e cila është një nga vendet që ka ndërmarrë veprime, vazhdon dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit dhe ndihma humanitare në Türkiye dhe Siri./AA