Zyrtarët rusë ka të ngjarë të përdorin sulmin kundër Kremlinit për të anuluar paradat e Ditës së Fitores, më 9 maj, në më shumë qytete, deklaroi Instituti amerikan për Studimin e Luftës (ISW).

 

”Burimet ruse raportuan se paradat në 21 qytete në Rusi dhe Krimenë e pushtuar tashmë janë anuluar, pa arsyetim zyrtar ose për arsye sigurie”, shkruan qendra kërkimore amerikane.

 

Sipas analistëve të ISW, ”Kremlini dëshiron të përdorë sulmin jo vetëm për të anuluar ngjarjet e 9 majit, por edhe për ta paraqitur luftën në Ukrainë si një kërcënim ekzistencial për vendin”.

 

Moska me gjasë shpreson të kufizojë ngjarjet e 9 majit për të mbuluar degradimin e ushtrisë ruse, pasi armatimi më i avancuar shfaqet në mënyrë rutinore në parada, shumë prej të cilave u përdorën në luftën në Ukrainë ose u shkatërruan në luftime.

 

Kremlini shpreson të kufizojë ngjarjet e 9 majit edhe nga frika se festimet për nder të ushtarëve të vdekur mund të bëhen burim potencial i protestave të brendshme për shkak të numrit të madh të viktimave në Ukrainë.