Türkiye do të sigurojë që marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) të adresohen rregullisht në nivelin më të lartë përmes mekanizmit të Këshillit Strategjik të Nivelit të Lartë, tha sot presidenti Recep Tayyip Erdoğan.

 

Komentet e tij erdhën teksa Erdoğan dhe presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohammed bin Zayed Al-Nahyan drejtuan bisedimet në nivel delegacionesh në Pallatin Al-Watan në Abu Dhabi.

 

Duke shprehur kënaqësinë për zhvillimin e dialogut dhe bashkëpunimit të ngushtë në 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe, Erdoğan tha se Türkiye synon të forcojë infrastrukturën ligjore me Emiratet e Bashkuara Arabe në fusha si promovimi i investimeve, siguria, energjia e rinovueshme dhe transporti.

 

“Me marrëveshjen e përbashkët që do të nënshkruajmë, ne do t’i ngremë marrëdhëniet tona në nivelin e partneritetit strategjik”, tha Erdoğan, duke shtuar: “Ne e shohim të dobishme që të organizojmë një Forum të Tregtisë dhe Investimeve në Istanbul në vjeshtë për t’ia prezantuar marrëveshjen botës sonë të biznesit”.

 

Erdoğan tha se bashkëpunimi mes dy vendeve do të avancojë më tej me Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF) që do të mbahet në Istanbul në datat 25-28 korrik.

 

Ai shprehu kënaqësinë e tij që ishte ftuar si “mysafir nderi” në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Abu Dhabi.

 

Türkiye dhe EBA-ja nënshkruan 13 marrëveshje në vlerë 50,7 miliardë dollarë, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës turke.

 

Erdoğan filloi turneun e tij në tri vende të Gjirit të hënën, duke nisur me Arabinë Saudite, e ndjekur nga Katari. Emiratet e Bashkuara Arabe janë ndalesa e tij e fundit./AA