Pala kosovare mendon që plani i BE-së për uljen e tensioneve në veri është selektiv dhe u kushton më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë. Pala serbe mendon ndryshe.

 

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, zhvilluan takime të ndara  në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Qëllimi i takimit që zgjati deri në orët e vona të së mërkurës, ishte diskutimi i shumë çështjeve për uljen e tensioneve në veri të Kosovës si dhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve, por përparim nuk kishte.

 

“Diskutuam një listë të gjatë të çështjeve të dialogut duke filluar me zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe shtensionimin në veri. Diskutimet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme” shkroi  Lajçak në twitter. Ai nuk tregoi se pse nuk ndodhi takimi tre palësh, por, sipas kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi,  ishte qëndrim i zotit Lajçak që të mos ketë takim trepalësh.

 

“Një takim i tillë, jo domosdo do të kontribuonte në finalizimin e dokumenteve, sepse Lajçak mendon që ka ende nevojë për koordinim shtesë para se kjo të ndodhë. Madje ka ide që plani i sekuencimit, apo zbatimit të marrëveshjes kërkon takim të nivelit të lartë”, tha Bislimi, duke u pajtuar që niveli i kryenegociatorëve nuk mund ta përfundojnë këtë proces në mënyrë të suksesshme. Kryenegociatori kosovar shfaqi brengën se drafti që Lajçak u ka dërguar palëve në këtë rast Kosovës dhe Serbisë, për shtensionim e gjendjes në veri, është selektiv.

 

Plani selektiv

 

“Ne mendojmë që ai plan është selektiv, u kushton më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë dhe nuk garanton zbatim të plotë të marrëveshjes. Ne kemi tentuar që në një takim trilateral me palën serbe të vendosim të gjitha obligimet që palët marrin nga marrëveshja bazike në një plan të detajuar të sekuencimit. Nuk kemi arritur ta përfundojmë këtë mision, por kemi përmirësim apo ecje tutje”, tha Bislimi. Kryenegociatori kosovar shfaqi habinë se pse Bashkimi Evropian nuk po heq masat kundër Kosovës, meqë kjo e fundit tashmë ka bërë hapat e parë.

 

“Për ne është habi që edhe tetë ditë pas dakordimit në Bratisllavë, ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e zotit Borrell që kërkon heqjen e masave nga ana e Komisionit Evropian. Nuk mund të themi që kemi zbatuar të gjitha masat për arsye se një prej masave është mbajtja e zgjedhjeve, por ne kemi treguar rrugën që çon në normalizimin e situatës e mungesa e kësaj rruge ka qenë preteksti i BE-së për vendosjen e masave ndëshkuese”, tha zoti Bislimi.

 

Drafti kërkon uljen e tensioneve

 

Drafti i Bashkimit Evropian që ndërmjetësi Lajçak u ka dhënë palëve, kërkon që për uljen e tensioneve në veri, duhet pezulluar operacionet policore, të bëhet zhvendosja e kryetarëve shqiptar të komunave në zyra alternative dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.

 

Qeveria e Kosovës tashmë ka njoftuar se ka zvogëluar me 25% praninë policore në ndërtesat e kuvendeve komunale, duke u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

 

Kryenegociatori i Serbisë Petar Petkoviq nuk foli pas takimit në Bruksel. Por të njëjtën ditë, i dërguari i BE-së Mirosllav Lajçak, takoi presidentin e Serbisë,  Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit vazhdon të ngulë këmbë siç thotë, “në hapat konkretë që synojnë mbrojtjen e jetës së serbëve në Kosovë, si dhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani”.

 

“Kam folur me Mirosllav Lajçakun për raundin e fundit të bisedimeve teknike midis Beogradit dhe Prishtinës dhe mënyrat për t’i ulur tensionet në terren. Serbia vazhdon të insistojë në hapa konkretë për të mbrojtur jetët e serbëve në Kosovë dhe Metohi, si dhe për zbatimin nga marrëveshjet e arritura deri më tani”, shkroi Vuçiq në Instagram.

 

Presidenti serb tha se situata në veri të Kosovës po bëhet gjithnjë e më shumë çështje e sigurisë sesa çështje politike. Këtë e tha edhe gjatë një takimi që zhvilloi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stolteberg. Ky i fundit ju bëri thirrje palëve të përmbahen nga veprimet e dhunshme.

 

“Është më rëndësi që tensionet janë ulur dhe u bëjmë thirrje palëve  të përmbahen nga veprimet dhe retorika nxitëse. Rruga e vetme është dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha Jens Stoltenberg./DW