Teksa të dielën do të mbahen zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike, ku për postin e drejtuesit garon Lulzim Basha dhe Gjergji Hani, kreu i Komisionit Zgjedhor, Jemin Gjana tregoi shifrat e demokratëve që do të jenë pjesë e procesit.

 

 

Në shifrat që Gjana publikoi, u mësua se shifrat janë tkurrur, ndërsa në zgjedhje të drejtën e votës e kanë 25460 anëtarë të PD. Sipas tij pjesa tjetër ka shkuar me Rithemelimin e Berishës.

 

“Miratuam komisionet. Duke qenë se njëri nga kandidatët zoti Hani nuk paraqiti pretendime për të pasur anëtarë të votimit, nuk kemi miratuar asnjë. Ka 71 degë të PD. Në disa prej degëve, në 2-3 raste do të ketë një qendër votimi për më shumë se sa dy degë. Nga verifikimet dhe listat e depozituara, rezulton se në 71 degë të PD janë verifikuar se do të jenë pjesë e listave dhe do të dërgohen 25460 anëtarë të PD. Është një numër për të gjithë procesin që ka ndodhur në këto 2 vite, për faktin se një pjesë e anëtarësisë është angazhuar në strukturat e Rithemelimit. Numri i anëtarëve të verifikuar shkon deri në 2300 anëtarë. Rreth 31 degë janë të verifikuara dhe në 15 degë rezulton një numër me më shumë se 500 anëtarë. U miratua dhe fleta e votimit. Sot lista zyrtare që do të dërgohet, që është miratuar për votim është 25 mijë. Analizat e tjera keni të drejtë që t’i bëni, por unë nuk kam arsye që t‘i komentoj.”, tha ai.