Aleatët e NATO-s vendosën të dërgojnë strehimore të plota, "gjysmë të përhershme" në Türkiye për strehimin e të prekurve nga tërmeti me qendër në Kahramanmaraş, i cilësuar si "katastrofa e shekullit".

 

Sipas deklaratës së NATO-s, objektet e strehimit që NATO do të dërgojë do të përbëhen nga komplekset e shtabit të përdorura në stërvitjet dhe operacionet e NATO-s. Këto objekte përfshijnë mjete të tilla si ngrohje, gjeneratorë dhe zona të trajtimit mjekësor.

 

Zyrtarët ushtarakë të NATO-s po vlerësojnë opsionet më të përshtatshme të logjistikës dhe transportit për dërgimin e objekteve të strehimoreve që mbahen aktualisht në Qendrën e Operacioneve Jugore të Agjencisë së Mbështetjes së NATO-s në Taranto, Itali.

 

Këto objekte do të plotësohen me vendosjen e tendave të përshtatshme për kushtet e dimrit, të cilat vendet e NATO-s filluan t'i dërgojnë.

 

Komandanti Suprem i Aleatëve të NATO-s në Evropë (SACEUR), Gjeneral Christopher Cavoli, do të udhëheqë përpjekjet për dërgimin e njësive.

 

Duke përshëndetur vendimin e aleatëve, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha: "NATO qëndron në solidaritet të fortë me aleatin tonë Türkiye-n. Transferimi i këtyre objekteve strehimore do të shpëtojë jetë. Aleatët dhe partnerët e NATO-s po japin mbështetje serioze për përpjekjet e ndihmës. Ne do vazhdojmë të bëjmë më të mirën për të ndihmuar nevojtarët”./AA