Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me raportin që ka me ish-kryeministrin Saki Berisha.

 

I pyetur nëse ka një “flirt” mes tij dhe Berishës, Bardhi e ka mohuar këtë fakt. Ai shtoi se kur ka luftuar me ish-kryeministrin Berisha, të tjerët nuk i përmendnin dot as emrin, madje mbylleshin në shtëpi.

 

Bardhi shtoi se qëndrimi i tij është i njëjtë me atë të nëntorit të kaluar, lidhur me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe shtoi se të gjitha energjitë e tij janë të përqendruara kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

 

“Unë nuk e di kush i është bashkuar dhe kush jo zotit Berisha. Unë di që duhet të mblidhet sipas statutit Këshilli Kombëtar, të marrë masën për shkeljen e disiplinës. Kush mendojnë që ka shkelur statutin e PD-së, në mbledhjen e Këshillit të propozojnë dhe të hedhin në votim përjashtimin e dikujt, qoftë edhe të Gazment Bardhit, me 2/3 e votave në Këshill.

 

Unë kam mbajtur qëndrimin tim që zgjedhjet në parti nuk mund të bëhen nga lartë poshtë. Ne jemi akoma në gjyq se kush jemi PD. Se kush duhej të regjistrohej si PD ne kemi bërë betejë në KAS një muaj. Nuk përjashtohet anëtari i Këshillit Kombëtar të regjistruar në gjykatë me një të rënë të lapsit. Kush e ka këtë fuqi të heqë kolegët? Me proces statutor mund të përjashtohem edhe unë nga partia. A e dini ju që sot ka njerëz që janë duke organizuar zgjedhjet për kryetar të PD-së në emër dhe për llogari të Bashës? Kanë qenë drejtues shtabesh të Berishës. Në Divjakë mund të them unë me dhjetëra raste. Ky nuk është standart statutore, por standart hall personal. Pozicioni im në raport me Berishën është identik nga ato që kam shprehur nga nëntori e deri në këtë moment. Duhet të mos harxhojmë energji me njëri tjetrin, por të merremi me Edi Ramën. Nuk mund të baltosësh sekretarin e Përgjithshëm të PD-së që të gjitha energjitë e veta kundër Ramës. Kur unë kam bërë betejë me Berishën, disa të tjerë u mbyllën në shtëpi dhe nuk ja zënë dot emrin në gojë zotit Berisha. Vula administrohet nga sekretari i përgjithshëm, as nuk e kam marrë në xhep, as nuk e kam çuar në shtëpi. Unë nuk i ndihmoj dot ata që kanë humbur vulën. Disa duan të shpallen vulëhumbur, është çështje e tyre dhe jo përgjegjësi e imja”, ka thënë Bardhi.