Gjatë këtyre ditëve të nxehta, vendi ynë është përballur me disa vatra zjarri të cilat janë favorizuar edhe nga era e nga temperaturat e larta.

 

Policia e Shtetit ka informuar se nga data 01.07.2023 deri më datë 25.07.2023, janë konstatuar 17 raste të shkatërrimit të pronës me zjarr; për 14 nga këto raste janë identifikuar 14 autorë, nga të cilët 1 autor është arrestuar në fshatin Peshtan të Fierit, ndërsa 13 autorë të tjerë në të gjithë vendin janë proceduar penalisht, duke qenë se nuk ka pasur dëme të mëdha në tokat bujqësore dhe kullosore. Vijojnë hetimet e thelluara në bashkëpunim me Prokuroritë respektive.

 

Në lidhje me situatën e krijuar ditët e fundit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka kërkuar nga strukturat vendore të Policisë që të intensifikojnë veprimet parandaluese, zbuluese dhe ndëshkuese.

 

Të bashkëpunohet me qytetarët, pushtetin vendor, emergjencat civile dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, për të bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve në pyje e kullota. Gjithashtu, të mbështeten emergjencat civile, me forca policore, si dhe të bashkëpunohet me të gjitha strukturat, për parandalimin e rasteve të tilla.

 

Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia e Shtetit është e vendosur për të çuar para drejtësisë të gjithë ata shtetas që me dashje apo nga pakujdesia djegin pyjet, sipërfaqet kullosore apo pronat private.