Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka inspektuar nga afër punën në Laboratorin e ri Klinik-Biokimik dhe Mikrobiologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku foli për standardizimin e protokolleve si në strukturat shëndetësore publike ashtu edhe ato jopublike, me synim për rritjen e standardit dhe cilësisë së shërbimit për qytetarët.

 

“Me një grup ekspertësh, kemi ngritur një grup pune për të analizuar sistemin aktual të të gjithë rregullave, normave dhe standardeve që sot aplikohen në shërbimet publike dhe jo publike, nivelin e shërbimeve në struktura të ndryshme të shërbimit shëndetësor, duke filluar nga laboratorët, njësitë vendore të kujdesit shëndetësor nga laboratorët në instutucionet e strukturave të kërkimeve tona shkencore dhe sigurisht në të gjithë spitalet tona dhe në të gjithë rrjetin ku ofrohet shërbimi i laboratorëve dhe nga ana tjetër për të vlerësuar se si sot është niveli në aspektin e shërbimeve edhe në strukturat jopublike, në raport me standardet dhe cilësinë që ato duhet të kenë, për të garantuar të njëjtin standard shërbimi laboratorik për qytetarët”, tha Manastirliu.

 

Shefja e Shërbimit të Laboratorit Klinik–Biokimik në QSUT, Prof. Dr. Anyla Bulo, nënvizoi se me rregulloren e re, do të përmirësohet standardi, duke siguruar një cilësi të njëjtë, si për pacientët që diagnostikohen në Shqipëri, ashtu dhe për një pacientët që diagnostikohet në një vend të Europës.

 

Prof. Dr. Andi Koraqi, Shef i Shërbimit të Laboratorit Mikrobiologjik në QSUT, u shpreh se, është shumë e rëndësishme që të kemi një standard për të gjithë laboratorët, si për laboratorët publikë dhe për laboratorët jopublikë, për faktin se, zhvillimi i mjekësisë tonë është në nivel të krahasueshëm edhe me nivelet europiane, kështu që edhe rezultatet që përftohen nga këto laboratorë, duhet të jenë të besueshme dhe të krahasueshme me laboratorët në botë.

 

Grupi punës me ekspertë të fushës është ngritur për të vlerësuar rregulloren aktuale të laboratorëve dhe gjithashtu për të parë zhvillimin në perspektive, me standardet që duhet të plotësojnë, me akreditimin, me personelin që duhet të punojë, çertifikimi që ata duhet të kenë, në mënyrë që qytetarët të kenë garanci, që, të gjitha analizat që ata bëjnë, në strukturat publike apo jopublike, të kryhen me standardin më të lartë të cilësisë.