Një tjetër ndërhyrje delikate është realizuar me sukses nga stafi mjekësor i Spitalit Memorial në Fier.

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri të ditur sot se, është kryer me sukses procedura e parë e diagnostikimit të patologjive të arterieve karotide dhe cerebrale në Spitalin Memorial në Fier, një ekzaminim mini-invaziv i nivelit të lartë që eviton ndërhyrjet kirurgjikale në tru.

 

Ajo informoi se, “procedura e angiografisë diagnostikuese cerebrale që zbulon anomalitë e enëve të gjakut të trurit, e cila konsiderohet si standardi i artë në diagnostikimin e sëmundjes së arterieve cerebrale, u realizua nga ekipi multidisiplinar shqiptaro-turk i Spitalit Memorial”.

 

Ministrja shprehu mirënjohje për punën e bërë nga ekipi për Prof. Asc. Lutfi Ocal, Dr. Klaudio Disha, Dr. Kjanda Elpenoria, Dr. Renard Plaku dhe teknikë imazherie Cengiz Ilik dhe Tarik Bektas.

 

Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, ofron shërbime të nivelit terciar, për të gjithë rajonin e Jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.

 

Spitali Memorial Rajonal Fier ofron shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.