Media globale ”Time Out” shkruan për Shqipërinë duke ua sugjeruar miliona ndjekësve të saj si një vend plot destinacione interesante e aventura për t’u shijuar në çdo cep ku hedh këmbën.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin promovues të “Time Out”, ku përshkruhen bukuritë e natyrës shqiptare nga Shkodra, në Gjipe.
Autori i shkrimit, Stuart Butler, i cili ka udhëtuar shumë në Shqipëri shprehet se vendi ruan ende një atmosferë të një Evrope më të vjetër dhe më të egër.
“Shqipëria është Evropa që nuk e dinit se ekzistonte. Male të thyera të mbushura me shtigje të qeta ecjeje, rrënoja të lashta të fshehura nën hijen e pemëve, plazhe mahnitëse gati për eksplorim dhe qendra urbane me zhvillim të shpejtë”, shkruan ai.
Autori vlerëson se Shqipëria është një vend ku tradita ka rëndësi.
“Një vend me aventura të papritura në fund të çdo korsie fshati me pluhur. Një vend që mund të ndryshojë të gjithë idenë tuaj për Evropën e shekullit XXI. Pra, ku të filloni? Nga kryeqyteti i saj historik, deri te bregdeti i saj i mbushur me plazhe, këto janë vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri”, shkruan ai.