Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka thirrur këtë të enjte në interpelancë në Kuvendin e Shqipërisë, ministren e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.
Nga foltorja e Kuvendit, Tabaku solli në vëmendje procesin e rindërtimit nga tërmeti duke thënë se përfundimi i këtij procesi është gënjeshtër.
“Në buxhetin e shtetit ka një fond prej 5 miliardë lekësh të alokuar për një proces që dukshëm është shumë larg përfundimit,” – deklaroi Tabaku, ndërsa ngriti pyetje për shpenzimet e procesit.
Ndërkaq, me një foto në dorë ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj tregoi ndryshimet që janë bërë në Thumanë para dhe pas tërmetit.
Tabaku reagoi ashpër duke mos i kursyer as ironitë, lidhur edhe me deklaratën e bërë nga ministrja, kur tha se nuk morën kredi të butë pasi pas tërmetit u bënë gati për pandeminë.
Tabaku tha se ministrja ka aftësi edhe të parashikojë se çfarë ndodh se cilat janë gjëmat që do ndodhin në vijim.
Deputetja madje e cilësoi ministren arrogante dhe të paaftë.
“Shpresoj që të ketë qenë një lapsus ai i ministres, dhe shpresoj të mos i ndodh gjë këtij vendi, por ministrja është kaq largpamëse sa parashikon dhe shumë gjëma që mund të ndodhin në vijim. Ministrat flasin me arrogancë, të gjithë copy paste me kryeministrin. Kur pret të të flasë me shifra, Ministrja flet me fotografi.
Si mund t’i përgjigjet një pyetjeje sasa kushton, me një fotografi? Si mundet dikush që duhet të mbajë përgjegjësinë për buxhetin e shtetit, të sillen të gjithë si piktorë? A kemi shtetar apo jo? Arroganca dhe paaftësia nuk mund të jenë arsye që të abuzojmë me buxhetin e shtetit dhe për qëllime elektorale. Kjo ka ndodhur edhe me procesin e rindërtimit.
Nga Laçi më thanë se qytetarët që nuk kishin votuar për PS nuk janë dëmshpërblyer pas tërmetit.
Pyes sa ka kushtuar procesi i rindërtimit dhe thotë se i çuam në hotele me 5 yje? Kë duhet të pyes unë?
Si ka mundësi që është tenderuar 1.2 mld euro ndërkohë që siç tha ministrja janë paguar dhe shpenzuar rreth 700 mln euro… unë thash 400, po qënka dhe më e lartë. Kush mban përgjegjësi që ka hapur tendera dhe ka proceduar kur fondet nuk kanë qenë në buxhetin e shtetit?
Nga vendosja e kritereve për tenderat e rindërtimit, kanë përfituar vetëm 11 kompani. A ke keni ndonjë lidhje me ato kompani që kanë përfituar? A ka lidhje ish zv.kryeministri me ato kompani? Kjo ka ndodhur këtu, keni përdorur fatkeqësinë për biznes.
Pati mundësi të parashikojë pandemisë dhe të thotë që pas tërmetit u desh të pëgatiteshim për pandeminë dhe ndaj si morëm kreditë e buta, ku e dije se do vinte pandemia?!
Abuzim me procesin e rindërtimit… është duke kushtuar dy herë më shtrenjtë se vlera reale e atyre projekteve. Raporti i OSBE/ODIHR por dhe raporte të tjera kanë thënë se është përdorur për arsye elektorale… kush mban përgjegjësi për bërjen biznes, për kërkimin e votës për jetën e shqiptarëve?
Duhet të kesh kurajo të vish këtu dhe të thuash që ‘po procesi i rindërtimit kushton 43 mln për 2023, nevoja tha është 42 mld lekë’. Por e dini sa ka llogaritur programi buxhetor afatmesëm? 0! E dini sa ka llogaritur buxheti i shtetit? 5 mld lekë!
A je e paaftë po je arrogante nuk e di?! Atëherë ku do i gjesh këto para?!”, tha Tabaku.