Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka njoftuar se vendi i tij do të sigurojë drithëra falas për gjashtë vende afrikane në tre-katër muajt e ardhshëm.
"Ne do të jemi gati në muajt e ardhshëm, në tre deri në katër muajt e ardhshëm, për t’i siguruar Burkina Fasos, Zimbabves, Malit, Somalisë, Republikës së Afrikës Qendrore dhe Eritresë 25 mijë deri në 50 mijë tonë drithëra pa pagesë. Ne gjithashtu do të ofrojmë dërgesa falas të këtij produkti për konsumatorët", tha Putin gjatë fjalës së tij të hapjes në Samitin Rusi-Afrikë në Shën Petersburg.
Putin tha se po shfaqet një "pamje paradoksale", ku vendet perëndimore po pengojnë furnizimin me drithëra dhe plehra bujqësore ruse, ndërsa gjithashtu "në mënyrë hipokrite" po akuzojnë Moskën për "situatën aktuale të krizës në tregun botëror të ushqimit".
"Kjo qasje ishte veçanërisht e dukshme në zbatimin e të ashtuquajturës marrëveshje të drithërave, e cila u konkludua me pjesëmarrjen e sekretarit të OKB-së dhe fillimisht kishte për qëllim garantimin e sigurisë globale ushqimore, uljen e kërcënimit të urisë dhe ndihmën e vendeve më të varfra, duke përfshirë Afrikën", tha ai.
Më tej, presidenti rus tha se gjithsej 32,8 milionë tonë mallra u eksportuan nga Ukraina në kuadër të iniciativës së drithërave të Detit të Zi. Ai shtoi se më shumë se 70 për qind e drithërave të eksportuar shkoi në vendet me të ardhura të larta dhe të mesme.
Ai gjithashtu tha se pjesa e vendeve si Etiopia, Sudani dhe Somalia përbënin më pak se 3 për qind të totalit të drithërave të eksportuar, që sipas presidentit rus arrinte në pothuajse 1 milion ton drithëra.
"Asnjë nga kushtet e marrëveshjes në lidhje me tërheqjen nga sanksionet e eksporteve ruse të drithërave dhe plehrave bujqësore në tregjet botërore nuk u përmbush. Asnjë. U ngritën edhe pengesa në transferimin falas të plehrave minerale nga ne në vendet më të varfra në nevojë", theksoi presidenti rus./AA