Një incident sa për të qeshur aq edhe i rrezikshëm, me protagonist një të ri italian ka ndodhur në brigjet e Ischia-s.

 

Sipas media italiane i riu që pushonte në Ischia ka rënë në gjumë të thellë në një dyshek deti dhe duke mos e vënë re rryma e ka tërhequr thellë në det të hapur.

 

 

Ka qenë stafi i një trageti që lundronte në Gjirin e Napolit ajo që ka ngritur alarmin për të riun, i cili u bë protagonist i një aventure ujore pa vetëdije.

 

Pas pak minutash një varkë patrullimi e rojes bregdetare u nis nga Ischia dhe arriti të gjurmonte të riun që nuk kishte vënë re asgjë, duke e shpëtuar.

 

Nuk është hera e parë që në brigjet italiane ndodhin incidente të tilla. Më i fundit ishte regjistruar në mes të korrikut në Salento.

 

 

Atëherë një grua e kishte zënë gjumi në dyshekun me ajër dhe u rrëmbye nga rryma, por ishte qeni i saj, një pastor gjerman që ndjeu rrezikun që i kanosej dhe u zhyt për ta nxjerrë përsëri në breg.

 

Ndërkohë në Greqi, po nga stafi i një trageti u gjet një vit më parë në mes të detit, një vogëlushe me kamerdaren flamingo që i kishte shpëtuar syrit të prindërve. Vajza ishte rrëmbyer nga rryma dhe u gjet nën urën e famshme të Patras.