Një vajzë e re koreane, e fiksuar pas historive me krime, ka pranuar se ka vrarë dhe prerë një grua “thjesht për ta ditur se si është në të vërtetë të masakrosh një njeri”.

 

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Busan të Koresë së Jugut. 23-vjeçarja Jung Yoo-jung tashmë po i nënshtrohet testimeve për të përcaktuar nëse mund të konsiderohet psikopate.

 

“Jung e kishte planifikuar mirë krimin, pasi donte të vriste me patjetër dikë pasi u fiksua me dokumentarët me vrasës serial dhe librat me krime”, tha një zëdhënës i policisë për mediat koreano-jugore.

 

Policët gjetën në celularin e 23-vjeçares se kishte vizituar shumë faqe ku të mësonin se si të fshihje një kufomë.

 

Pasi e vrau me thikë gruan, Jung e ndau në copa trupin e viktimës dhe i futi disa pjesë në valixhe. Më pas, hipi në një taksi dhe valixhen e hodhi në lumë. Ndërkohë që, për ta bërë të dukej si zhdukje, mbajti celularin, kartën e identitetit dhe portofolin e gruas që kishte vrarë. Por, taksistit iu ngjallën dyshime dhe njoftoi policinë menjëherë pasi e reja zbriti nga taksia.

 

Autoritetet thanë se Jung jetonte e vetmuar dhe ishte izoluar nga shoqëria, pasi nuk kishte gjetur dot punë që kur kishte mbaruar shkollën.