Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për gjykim në ngarkim të Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit.

 

 

Dhionisios Alfred Beleri, akuzohet për veprën penale veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328 e 25 i Kodit Penal.

 

Pandeli Kokaveshi, akuzohet për veprën penale veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328 e 25 i Kodit Penal.

 

 

Nga provat e administruara gjatë hetimit, siç janë të dhënat e përftuara nga përgjimet audio/video, nga kqyrjet e telefonave, nga kqyrjet e akteve të ekspertimit kompjuterik, nga deklarimet e personave që kanë dijeni për rastin, rezulton se është e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm që i pandehuri Dhionisios Alfred Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, ndërsa vetë Rama i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro.

 

I pandehuri ia ka dhënë shumat monetare Arsenit nëpërmjet të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, i cili ka qenë bashkëpunëtori i tij në kryerjen e këtij akti korruptiv dhe ky i fundit i ka dhënë Ramës tetë kartëmonedha të prerjes 5 000 lekëshe për tetë persona që do votonin në favor të shtetasit Belerit.

 

Të pandehurit i kanë premtimtuar dhe ofruar shuma monetare Arsen Ramës në mënyrë që ky i fundit të ndikonte tek vullneti i qytetarëve të tjerë për të siguruar vota në favor të të pandehurit Beleri në zgjedhjet lokale.