Në Durrës vijon puna për rehabilitimin e qendrës shëndetësore nr. 2 , e cila do të ketë kushtet më të mira për stafin mjekësor dhe për më shumë se 30 mijë banorë të lagjeve kryesore të qytetit bregdetar që marrin shërbim në këtë qendër.

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e shoqëruar nga deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako vizitoi sot nga afër këtë qendër, ku theksoi se “duam jo vetëm të përmirësojmë standardet por edhe të zgjerojmë shërbimet si ato socio-shëndetësore dhe figurën e psikologut në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin”.

 

Manastirliu u shpreh se “këtë vit investojmë në 60 qendra të tjera të kujdesit parësor, ku përveç përmirësimit të kushteve të infrastrukturës, ne do të vijojmë të zgjerojmë programet e kujdesit shëndetësor dhe social, për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të komunitetit”.

 

Kryebashkiakja Sako tha se “kjo qendër shëndetësore ndodhet në qendër të qytetit në një zonë urbane me densitet të lartë të popullsisë”

 

Sako falënderoi ministren Manastirliu për impenjimin dhe për të gjitha këto kantiere që janë në qytetin e Durrësit.

 

Deputetja e PS-së Spahiu tha se “një qendër shëndetësore që të funksionojë si një qendër socio-shëndetësore dhe aq më tepër mbështetja juaj që ne të kemi një qendër komunitare të shëndetit mendor në Durrës është për t’u vlerësuar”./ATSH