Urgjenca e re e Spitalit Rajonal Vlorë edhe pak gati të hapë dyert për banorët, por edhe për turistët në sezonin e verës.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila ndau në rrjetet sociale pamje nga mjediset e kësaj urgjence.
“Urgjenca e re do të garantojë kushtet më të mira për pacientët për marrjen e shërbimit shëndetësor në kohë dhe me cilësi, për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të qytetarëve të Vlorës, por edhe pushuesve e turistëve të shumtë që frekuentojnë qytetin bregdetar”, tha Manastirliu.
Urgjenca e re në Spitalin e Vlorës është një investim i qeverisë shqiptare dhe Kooperacionit Italian.
Përveç rikonstruksionit të ambienteve të urgjencës, do të garantohet edhe zbatimi i protokolleve dhe Procedurave Standarde Operacionale, duke nisur nga triazhimi i pacientëve, diagnostikimi, trajtimi dhe referimi i tyre në kohë pranë shërbimeve spitalore apo edhe për trajtime të specializuara në spitalet që ofrojnë shërbim terciar/universitar.
Me fuqizimin dhe modernizimin e Urgjencës së Spitalit Rajonal Vlorë, do të ketë një pikë referimi jo vetëm për vizitorët e bashkisë Vlorë, por edhe të bashkive Sarandë dhe Himarë dhe turistëve në sezonin veror.