3 ushtarakë janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës për kultivim kanabisi.
Uniformat blu bëjnë me dije se të arrestuarit janë 3 efektivë të repartit ushtarak në Zall Herr. Ndërkohë janë proceduar penalisht edhe 4 ushtarakë të tjerë.
Sipas uniformave blu, këta persona, me veprimet duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike, në ambientet e repartit ushtarak.
“Në vijim të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për shpërdorim të detyrës, 3 punonjës të repartit ushtarak, shtetasit: Gramoz Mullai, 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë; Rustem Koçi, 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin dhe Gentian Zhurda, 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.
Gjithashtu u proceduan penalisht dhe 4 shtetas të tjerë: A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrasktrukture; P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge; I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier; P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti”, njoftoi policia.