Një 26-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasje, ka rënë në prangat e policisë së Tiranës. Burime zyrtare bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Henri Gjapi.

 

 

 

Gjatë natës së 31 marsit të këtij viti, Henri Gjapi dyshohet se është konfliktuar me Gentian Taljen, ndërsa në sherr ka ndërhyrë më pas edhe Artur Gjolena. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut. Pas përplasjes fizike me këta dy persona, një prej tyre, Gentian Talja ka rënë. Për pasojë 46-vjeçari është përplasur në bordurë dhe ka marrë plagë të rënda në kokë, ndërsa pas 5 ditësh humbi jetën në spital.

 

NJOFTIMI I POLICISE

Tiranë/Punë intensive për lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim.

 

Si rezultat i analizës së riskut dhe i veprimeve të thelluara gjatë verifikimit të gjenealiteteve, në hyrje të RSh-së, u vu në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për “Vrasje nga pakujdesia”.

 

Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, si rezultat i analizës së riskut dhe i veprimeve të thelluara gjatë verifikimit të gjenealiteteve të një shtetasi, kanë ndaluar shtetasin:

 

– H. Gj., 26 vjeç, banues në Tiranë.

 

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë  “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.

 

Më datë 31.03.2023, në rrugën “Vaso Pasha”, shtetasi H. Gj. është konfliktuar me shtetasin G. T., 46 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve është dërguar në spital, për ndihmë mjekësore. Gjatë këtij konflikti, ka ndërhyrë edhe shtetasi A. Gj., i cili ka goditur shtetasin H. Gj. Si pasojë e dëmtimeve, 46-vjeçari ka ndërruar jetë në spital. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.