Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të madhe armatimi në veriun e Kosovës, bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

 

Sipas tij, aksioni u krye në Zveçan – komunë në veri e banuar me shumicë serbe – ku u bastis një shtëpi, që sipas Sveçlës përdorej si “bazë për armatimin e veriut të Kosovës”.

 

“Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe”, tha Sveçla.

 

Ai tha se në aksionin e Policisë së Kosovës u gjetën armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksplozivë.

 

“Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it”, tha Sveçla duke shtuar se “veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit”.

 

Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i tha Radios Evropa e Lirë se autoritetet gjetën edhe granata dore, municion, gëzhoja kallashnikovi dhe pajisje të tjera.

 

Ai po ashtu konfirmoi se nuk është arrestuar askush, por ka të dyshuar për këtë rast, duke shtuar se Policia e Kosovës në orën 15:00 do të mbajë konferencë për media në stacionin në Mitrovicën e Veriut.

 

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet e rendit kryejnë aksione kundër kontrabandës në veri.

 

Rasti i fundit ishte në gusht, kur Policia e Kosovës kishte konfiskuar mbi 1.200 fishekë në fshatin Rudine të Zveçanit.

 

Përveç aksioneve kundër mallrave kontrabandë, autoritetet në të kaluarën kanë kryer aksione në veri edhe kundër kriptovalutave, mihja e të cilave është ilegale në Kosovë.

 

Situata në veri të Kosovës në fund të majit u tensionua, pasi banorët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë.

 

Kryetarët u zgjodhën në prill, në votimet që u bojkotuan nga popullata serbe.

 

Pas rritjes së tensioneve, Kosova dhe Bashkimi Evropian në korrik u pajtuan për disa hapa drejt shtensionimit që përfshijnë uljen e pranisë së Policisë së Kosovës në veri dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në këtë zonë. /REL