Policia e Tiranës ka vijuar punën për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave të ndryshme, duke finalizuar operacionin policor të koduar “Next”.

 

2 shtetas (babë e bir) janë vënë në pranga, pasi transportonin mallra të kontrabanduara drejt Shqipërisë, dhe i magazinonin ato, në subjektin në administrim prej tyre.

 

Gjithashtu është proceduar penalisht në gjendje të lirë, një punonjës i këtij subjekti, si dhe janë sekuestruar mallra të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara.

 

Policia e Shtetit njoftoi sot se, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Next”.

 

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve Sh. A., 58 vjeç, dhe E. A., 29 vjeç, (babë e bir), të dy banues në Tiranë.

 

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. A., 24 vjeç.

 

Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin në administrim nga shtetasit Sh. A., dhe E. A., në rrugën “Xhanfize Keko”, shërbimet e Policisë gjetën mallra të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara.

 

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këto mallra ishin transportuar drejt Shqipërisë, nga dy të arrestuarit, të cilët i magazinonin në këtë subjekt, dhe më pas mallrat shpërndaheshin nga shtetasi A. A., në disa pika shitje, në zona të ndryshme të Tiranës.

 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mallra të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara.

 

Operacioni për goditjen e kësaj paligjshmërie vijon.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.