Policia alpine në Shkodër ka shpëtuar 2 turistë francezë pas një operacioni që zgjati plot 8 orë.

 

Sipas uniformave blu, dy turistët francezë kishin mbetur të bllokuar në një zonë malorë, pranë përroit të Cutit dhe njëri prej turistëve kishte shfaqur probleme shëndetësore.

 

Pas një operacioni gati 8 orë të zhvilluar gjatë natës janë lokalizuar dhe shpëtuar dy turistët.

 

Nga informacionet zyrtare mësohet se shtetasi që shfaqi komplikime shëndetësore vijon të marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Shkodrës.

 

“Rreth orës 19:00, salla operative e Policisë së Shkodrës ka marrë njoftim se 2 turistë francezë kishin mbetur të bllokuar në një terren shumë të thepisur, pranë përroit të Cutit dhe se njëri prej tyre kishte shfaqur komplikime shëndetësore (temperaturë të lartë). Menjëherë pas këtij njoftimi, drejt zonës së sinjalizuar, janë nisur efektivët e Policisë Alpine të FNSH Shkodër, të ciliët janë të trajnuar dhe të pajisur, për t’iu shkuar në ndihmë qytetarëve dhe turistëve të cilët gjatë eksplorimeve, mbesin të bllokuar në terrene të vështira malore.

 

Si rezultat i veprimeve të specializuara të skuadrës së Policisë Alpine, si dhe asistencës së banorëve të zonës, 2 turistët janë lokalizuar rreth mesnatës, janë shoqëruar deri në një zonë të aksesueshme nga automjeti i Policisë dhe më pas janë transportuar me këtë automjet, në spitalin e Shkodrës.

 

Shtetasi që shfaqi komplikime shëndetësore vijon të marrë asistencë mjekësore në spitalin e Shkodrës, dhe është jashtë rrezikut për jetën”, tha policia.