Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se ndërhyrja e forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara (OKB) në ndërtimin e rrugëve të Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC) është “e papranueshme”.
“Ndërhyrja fizike e ushtarëve të forcave paqeruajtëse të OKB-së në territorin që bie nën sovranitetin e TRNC-së nuk është kurrë e pranueshme për ne”, tha presidenti Erdoğan pas mbledhjes së kabinetit në Ankara.
Komentet e presidentit turk erdhën pasi Forca Paqeruajtëse e OKB-së në Qipro (UNFICYP) javën e kaluar ndërhyri në punën e ndërtimit të rrugëve për të lidhur fshatin qipriot turk Pile në zonën tampon me pjesën tjetër të TRNC-së.
Zgjerimi i rrugës është strategjikisht i rëndësishëm për banorët pasi do t’u japë atyre më shumë mundësi për të arritur në Pile, ku qipriotët turq dhe grek jetojnë së bashku.
Administrata qipriote greke dhe OKB-ja janë kundër projektit.
Banorët e fshatit Pile do të mund të udhëtojnë në distanca më të shkurtra dhe nuk do të duhet të kalojnë nëpër bazat britanike kur kalojnë në anën turke si rezultat i punës ndërtimore dhe riparimit të rrugës prej 11.6 kilometrash.
7.5 kilometrat e para të rrugës do të tejkalojnë përmes fshatit Yiğitler, ndërsa 4.1 kilometrat e dyta do të kalojnë përmes fshatit Pile.
“Nuk është as e ligjshme dhe as njerëzore të pengosh qipriotët turq që jetojnë në fshatin Pile të arrijnë në atdheun e tyre”, tha Erdoğan.
Presidenti turk po ashtu theksoi se forca paqeruajtëse vendosi në hije paanshmërinë e saj me ndërhyrjen fizike ndaj fshatarëve në Qipron Veriore dhe deklaratat fatkeqe.
“Ajo që pritet nga OKB-ja është të kontribuojë në zgjidhjen e nevojave humanitare të të gjitha palëve në ishull duke përfaqësuar emrin e tij në të vërtetë, në vend që të demonstrojë sjellje destabilizuese”, tha presidenti turk./AA