Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se mes një programi të ngjeshur, muajin e ardhshëm, nëse i jepet mundësia, mund të zhvillojë bisedime ballë për ballë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për të diskutuar marrëveshjen e grurit të Detit të Zi.
"Në shtator, kemi takimin e G-20 në Indi dhe Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në SHBA. Nëse gjejmë mundësinë në këtë mjedis të ngarkuar, do të takohemi dhe bisedojmë me (Vladimir) Putinin ballë për ballë", u tha Erdoğan gazetarëve herët të martën në aeroplanin presidencial, ndërsa kthehej nga vizita e tij në Hungari.
Erdoğan bëri një vizitë njëditore në kryeqytetin Budapest për festën e ditës kombëtare të Hungarisë. Ai u takua veçmas me homologen e tij hungareze Katalin Novak dhe kryeministrin Viktor Orban për të diskutuar lidhjet dypalëshe, si dhe zhvillimet rajonale dhe globale.
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, mund të vizitojë Rusinë së shpejti për të zhvilluar bisedime ballë për ballë, tha Erdoğan, duke shtuar se kjo mund të japë rezultate më të mira.
Për bisedimet e mundshme të paqes Rusi-Ukrainë, Erdoğan tha se shpreson të ketë rezultate nëse Putin dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, bien dakord për ndërmjetësimin turk.
Muajin e kaluar, Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen, të cilën e nënshkroi verën e kaluar së bashku me Türkiyen, OKB-në dhe Ukrainën për të rifilluar eksportet e grurit nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022. Moska është ankuar vazhdimisht se pjesa ruse e marrëveshjes nuk po zbatohej.
Ankaraja ka bërë përpjekje intensive në rrugë diplomatike për rifillimin e marrëveshjes.
Türkiye, e cila mori vlerësime ndërkombëtare për rolin e saj unik ndërmjetësues midis Ukrainës dhe Rusisë, i ka bërë vazhdimisht thirrje Kievit dhe Moskës që t'i japin fund luftës, tashmë mbi 500 ditëshe, përmes negociatave./AA