Kryeministri Edi Rama ka njoftuar mëngjesin e kësaj të mërkure se në malin e Shpiragut në Berat është gjetur një rezervë e madhe gazi e nafte e cilësisë së lartë.

 

Në një postim në rrjetet sociale, teksa publikon pamje nga vizita, kreu i qeverisë shkruan se pas një pune thuajse dhjetëvjeçare dhe arritjes në 6002 metra thellësi, tashmë po përgatitet edhe testi përfundimtar i i qëndrueshmërisë së presionit të nëntokës për nxjerrjen e naftës dhe gazit lart. Më tej, Rama thekson se në rast suksesi ky do të jetë një kapërcim historik në jetën ekonomike të vendit.

 

“MIRËMËNGJES dhe nga vizita në kantierin e një shprese të madhe për #Shqipërinë2030, ku pas një pune titanike thuajse dhjetëvjeçare dhe arritjes në 6002 metra në thellësi të tokës, është prekur një rezervë e madhe gazi e nafte e cilësisë më të lartë, në ndërkohë që po përgatitet testi vendimtar i qëndrueshmërisë së presionit të nëntokës për nxjerrjen e saj lart, çka në rast suksesi do të thotë një kapërcim historik në jetën ekonomike të vendit, ju uroj një ditë të mbarë . Shpirag, Berat”,-shkruan Rama.