Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen për ish-drejtuesin e lartë të policisë së Tiranës, Erzen Breçani, ish-shefin e krimeve Dedan Gjoni dhe për 9 të pandehur të tjerë që akuzohen si pjesë e grupit të strukturuar kriminal, që u godit pas zbërthimit të bisedave në SkyECC.

Nga analiza e provave dhe akteve të grumbulluara gjatë hetimit paraprak të këtij procedimi penal, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar(SPAK), në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese franceze, holandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane, ka zhvilluar hetime ndaj disa shtetasve shqiptarë të përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve (kryesisht kokainë) nga vendet e origjinës për në vendet e Bashkimit Evropian.

Gjatë hetimit u bë e mundur dokumentimi i një grupi të strukturuar kriminal mjaft të rrezikshëm me të paktën 11 të akuzuar në këtë fazë të hetimit.

Ky grup i strukturuar kriminal karakterizohet nga një organizim i mirëkoordinuar dhe një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet anëtarëve të tij. Grupi është i përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, ku çdo anëtar ka role dhe detyra specifike, nga financimi dhe porositja, deri te transporti dhe shpërndarja e lëndëve narkotike. Anëtarët shfrytëzojnë lidhjet e tyre ndërkombëtare, veçanërisht në vendet e Amerikës Latine dhe Evropës, për të siguruar furnizimin dhe transportimin e narkotikëve. Gjithashtu, ata janë të angazhuar në pastrimin e parave të përftuara nga aktiviteti kriminal përmes investimeve të dukshme legjitime, për të fshehur burimin e vërtetë të të ardhurave.

Përveç trafikut të narkotikëve, ky grup i strukturuar kriminal shfrytëzoi pozitat zyrtare të disa funksionarëve të agjencive ligjzbatuese shqiptare për të mbledhur dhe shpërndarë informacion të klasifikuar, të cilët i ndihmonte anëtarët e tij që t’i shmangeshin drejtësisë dhe të vijonin aktivitetin kriminal. Ky grup i strukturuar kriminal është i përfshirë në sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve dhe në përkrahjen e autorëve të krimit, duke strehuar dhe ndihmuar individët e kërkuar nga ligji. Anëtarët shfrytëzonin aksesin në sistemet e të dhënave zyrtare për të mbledhur të dhëna dhe për të mbështetur veprimtarinë e grupit, duke përdorur teknologjinë dhe informacionin për të planifikuar, ekzekutuar dhe fshehur veprimet e tyre kriminale. Ky grup i strukturuar kriminal ka arritur të integrojë dhe investojë produktet e veprimtarisë kriminale në investime të rëndësishme si një shoqëri hidrocentrali, por dhe në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe në mjete financiare.

Ndërkohë, për personat e tjerë nën hetim, bashkëpunëtorë në kryerjen e veprave penale të mësipërme, për të cilët nuk janë ekzekutuar akoma masat e sigurimit të miratuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për fakte të tjera kriminale, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në aktivitete kriminale që kanë rezultuar gjatë veprimeve hetimore të kryera në këtë procedim penal, është vendosur ndarja e çështjes penale dhe vazhdojnë të jenë ende në fazën e hetimeve paraprake./ata