Një 23-vjeçar është arrestuar në Korçë pasi tentoi të vriste me armë zjarri një 41-vjeçar si dhe kanosi djalin e tij.

 

Po ashtu është proceduar penalisht vëllai i të arrestuarit,  i shpallur në kërkim, si i përfshirë në këtë konflikt.

 

Policia bën me dije se si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, mbi vendndodhjen e dy personave të shpallur në kërkim, pas një konflikti për motive të dobëta, në lagjen nr. 17, Korçë, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tyre.

 

Për këtë rast u vu në pranga shtetasi M. D., 23 vjeç dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për vëllanë e tij, shtetasin Dh. D., 20 vjeç, të dy banues në Korçë.

 

Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se shtetasi M. D., në bashkëpunim me vëllanë e tij dhe me një tjetër person të arrestuar nga policia, kanë kanosur shtetasit F. R., 41 vjeç dhe F. R., 22 vjeç (babai dhe djali), për shkak të një konflikti ndërmjet tyre. Gjithashtu, dyshohet se gjatë këtij konflikti, shtetasi i vënë në pranga, M. D. ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të 41-vjeçarit. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.