Rusia konfirmoi sot se Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit mercenar Wagner, ishte në mesin e dhjetë të vdekurve nga rrëzimi i avionit këtë javë.
Në një deklaratë, Komiteti Hetimor i Rusisë tha se përfundoi identifikimin gjenetik të personave që humbën jetën në avionin privat që u rrëzua në rajonin veriperëndimor Tver.
Identiteti i dhjetë personave që humbën jetën u identifikua, thuhet në deklaratë, në të cilën theksohet se rezultatet janë të njëjta me listën e publikuar të mërkurën, natën e rrëzimit.
Në aksident, një avion “Embraer-135” u rrëzua ndërsa udhëtonte nga kryeqyteti Moskë për në Shën Petersburg, duke lënë të vdekur dhjetë pasagjerët në bord, përfshirë Prigozhinin.
Autoritetet më vonë publikuan një listë me emrat e individëve në bordin e avionit, e cila përfshinte gjithashtu bashkëthemeluesin e Wagnerit, Dmitry Utkin, dhe pjesëtarë të tjerë të grupit.
Të enjten, presidenti Vladimir Putin shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, duke e quajtur Prigozhinin “njeri të talentuar” me “fat të vështirë”.
Prigozhin pushtoi titujt e mediave në qershor kur nisi një “rebelim të armatosur” kundër udhëheqjes ruse përpara se ta anulonte shpejt përpjekjen./AA