Portali “Infermierë për Shqipërinë” për punësimin e profesionistëve të shëndetësisë është një prej mekanizmave që garanton transparencë në punësimet në shëndetësi.
Kryeministri Edi Rama ndau sot lajmin e mirë të punësimit përmes këtij portali të 816 infermierëve dhe profesionistëve të Shkencave Mjekësore Teknike.
Rama theksoi se ata janë punësuar me meritë vetëm gjatë këtij viti, përmes portalit online “Infermierë për Shqipërinë”, në qendra shëndetësore dhe spitale, nga veriu në jug, për të shërbyer sa më pranë komunitetit.
Ndërkohë, në thirrjen e radhës në portalin “Infermierë për Shqipërinë”, kanë aplikuar mbi 2500 profesionistë të shkencave mjekësore teknike.
Platforma “Infermierë për Shqipërinë” ofron mundësi reale punësimi për të gjithë infermierët që kanë përfunduar studimet e larta apo janë kualifikuar më tej në këtë fushë për të kontribuar në shëndetin e komunitetit.
Kjo platformë garanton një proces rekrutimi të udhëhequr nga parimet e transparencës, meritës, profesionalizmit dhe barazisë në funksion të ofrimit të një shërbimi cilësor infermieror në të tre nivelet e kujdesit shëndetësor.
Procesi i testimit të kandidatëve në platformën “Infermierë për Shqipërinë” është transparent në të gjitha fazat e tij, që nga regjistrimi, testimi, procesi i ankimimit, deri në shpalljen e listës përfundimtare të fituesve dhe përzgjedhjes së vendeve të reja të punës me bazë merite, në bazë të pikëve të marra nga secili kandidat nga të gjitha fazat e konkurrimit.