Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e cilësoi sot ngjarje të paprecedentë atë të ndodhur tek spitali Onkologjik në Tiranë.
Në një prononcim për mediet nga ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Koçiu theksoi se “ngjarja e sotme patjetër që të krijon një neveri të madhe. Mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish. Mbi të gjitha kur flasim për punonjësit e sistemit të shëndetësisë të cilët misionin e tyre primar kanë humanizmin, shpëtimin e jetëve të njerëzve”.
“Është një ngjarje e paprecedentë. Jam e neveritur nga kjo histori. Të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit, sipas procedurave administrative dhe të jetë e qartë njëherë e përgjithmonë që këta lloj personash nuk mund të ndosin bluzat e bardha, nuk mund përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm në të gjithë Shqipërinë dhe këta persona nuk kanë vend në sistemin shëndetësor”, tha Koçiu.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkoi sot masa sigurie për shtatë mjekë e specialistë të Qendrës Spitalore Universitare, nën akuzë për veprën penale “shpërdorim detyre”.
Sipas hetimit të kryer dyshohet se mjekët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, specialistët dhe administratorin e spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private, me qëllime përfitimi, duke mos iu ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT./ata