Shtiza e peshkimit i dëmtoi zemrën dhe mushkërinë Klajdi Bitrit, 23-vjeçarit shqiptar që u vra në Itali nga një algjerian pasditen e së dielës, teksa po përpiqej të mbronte një shokun e tij italian.
Mediat italiane kanë bërë publike rezultatet e para të autopsisë të kryer ditën e djeshme në spitalin Torrette. Një hetim i zgjatur për katër orë, i kryer nga mjekja ligjore Loredana Buscemi.
Dëmtimet në dy organe vitale i shkaktuan vdekjen të riut, i cili vite më parë mbërriti në Ankona, ku jetonte dhe ku ëndërronte një të ardhme më të mirë për të dhe familjen e tij. Nuk mund të bëhej asgjë për ta shpëtuar pasi shtiza i shkoi në gjoks.
Autoritetet thonë se vdekja e të riut shqiptar ka qenë e menjëhershme, ndërsa goditja ka qenë ballore. Autopsia konkludon se plaga në zemër dhe thellësia e goditjes përputhet me shtizën që gjetën karabinierët, së bashku me pushkën, në momentin kur arrestuan vrasësin algjerian, Melloul Fatah.
27-vjeçari, pas arrestimit që e çoi në burg me akuzën e vrasjes me dashje të rënduar për arsye të kota, tha se nuk e kishte kuptuar që as kishte plagosur dhe as vrarë njeri. Pas sherrit që shpërtheu përmes Cileas, për arsye banale, Fatah ishte kthyer në makinë dhe kishte marrë pushkën e peshkimit nga sedilja e pasme vetëm për tu mbrojtur pasi kishte 3 kundërshtarë përballë.
Mësohet se ditën e nesërme në mëngjes, në orën 9.30, algjeriani do të përballet me marrjen në pyetje me gjyqtaren hetuese Sonia Piermartini, e cila do të duhet të vërtetojë ose jo ndalimin dhe masën e sigurimit.