Zjarri që ra pasditen e djeshme në fshatin Ndershenë, të njësisë administrative Lurë, në bashkinë Dibër është shumë afër shuarjes.

 

Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i cili u shpreh se, me ndërhyrjen e menjëhershme nga ajri dhe punë intensive nga terreni, tashmë janë izoluar vatrat dhe jemi shumë afër shuarjes përfundimtare të zjarrit që ra pasditen e djeshme në fshatin Ndershenë, të njësisë administrative Lurë, në bashkinë Dibër.

 

Grupet e punës janë angazhuar që në orët e para të mëngjesit të sotëm për shuarjen e vatrave të fundit aktive dhe mbajtjen në monitorim të gjithë situatës, theksoi Peleshi.

 

Ai shprehu mirënjohje për çdo efektiv të Forcave të Armatosura dhe punonjës të strukturave vendore që punuan në mbrojtje të Parkut Kombëtar të Lurës.

 

6 vatra zjarri janë shuar në zona të ndryshme të territorit të vendit, gjatë 24 orëve të fundit.