Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se është e rëndësishme që të mbahen sa më shpejt zgjedhjet lokale dhe gjithëpërfshirëse në katër komunat veriore, ku serbët e Kosovës marrin pjesë pa parakushte.

 

 

“Sa u përket zgjedhjeve, edhe pse zgjedhjet e pjesshme për kryetarë të komunave të mbajtura në prill 2023 në katër komunat e veriut të Kosovës u zhvilluan në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, ne kemi qenë shumë të qartë se për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët, ato nuk kanë ofruar një zgjidhje politike afatgjate. Prandaj, është e rëndësishme që zgjedhjet lokale gjithëpërfshirëse, ku serbët e Kosovës marrin pjesë pa parakushte, të organizohen sa më shpejt”, ka thënë Stano dje për “KOHA”.

 

 

Stano ka rikujtuar angazhimin që Kosova ka marrë në Bratisllavë për de-eskalimin dhe ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar.

 

“BE-ja nënvizon deklaratën e Përfaqësuesit së Lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor 2023, e cila i kërkoi Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa për të de-përshkallëzuar situatën dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar. Kosova u angazhua për këto parime në Bratislavë në korrik 2023”, ka theksuar ai.