Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan udhëtoi sot për në qytetin bregdetar rus të Soçit për t'u takuar me homologun e tij rus Vladimir Putin.

 

Gjatë vizitës njëditore të punës, Erdoğan do të diskutojë me Putinin çështjet aktuale rajonale dhe globale, si dhe marrëdhëniet Türkiye-Rusi.

 

Ringjallja e marrëveshjes historike të vitit të kaluar për drithërat e Detit të Zi që ndihmoi në lehtësimin e krizës globale të ushqimit do të jetë gjithashtu një temë diskutimi midis dy udhëheqësve, të cilët do të mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi më vonë.

 

Pasi Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen për eksportet e drithit të Ukrainës, të ndërmjetësuar nga Türkiye dhe OKB-ja, Ankaraja vazhdon përpjekjet për rikthimin e saj.

 

Moska është ankuar vazhdimisht se Perëndimi nuk i ka përmbushur detyrimet e veta në lidhje me eksportet ruse të drithërave dhe se vendeve që kanë nevojë nuk po u shkon drithi i mjaftueshëm.

 

Duke konfirmuar rëndësinë e përmbushjes së kërkesave të Rusisë për të eksportuar drithërat dhe plehrat e veta, Türkiye thekson se nuk ka alternativë ndaj nismës.

 

Ankaraja ka ndërmarrë përpjekje intensive diplomatike për të rikthyer marrëveshjen e korrikut 2022 dhe gjithashtu i ka bërë thirrje Kievit dhe Moskës që t'i japin fund luftës përmes negociatave.

 

Në korrik, Erdoğan u takua gjithashtu me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky në Istanbul për të diskutuar këto çështje./AA