Këto janë pamjet e rënda që vijnë nga Maroku, ku një tërmet i fuqishëm deri tani raportohet se ka shkaktuar 632 të vdekur dhe 329 të plagosur.

 

Sikurse duket në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, ndërtesat janë shembur si pasojë e dridhjeve të forta. BBC shkruan se tërmeti është ndjekur 19 minuta më vonë nga një tjetër pasgoditje shumë e fortë.

 

Ndërkohë njerzit shfaqen të alarmuar në rrugë duke vrapuar.

 

 “Ndjemë një dridhje shumë të fuqishme dhe kuptova se ishte tërmet. Mund të shikoje ndërtesa që lëkundeshin. Dola jashtë dhe kishte shumë njerëz. Të gjithë ishin në shok dhe të panikosur. Pas 10 minutash iku energjia elektrike dhe rrjeti celular”, tha Abdelhak El Amrani, një 33 vjeçar që jeton në Marrakesh.

 

Marrakesh, një qytet historik shumë i dashur nga turistët – duket se është goditur keq nga lëkundjet.

 

Imazhet e rrënojave dhe të njerëzve që janë detyruar të qëndrojnë jashtë, është ajo çka transmetojnë mediat e huaja.

 

Raportohet se pas tërmetit pati edhe ndërprerje të energjisë elektrike.

 

BBC shkruan gjithashtu se ka njerëz të cilët ende kanë mbetur të bllokuar nën ndërtesa e rrënuara.