Mediat izraelite njoftuan se me mbërritjen e delegacionit izraelit në Katar, kanë filluar zyrtarisht negociatat për arritjen e marrëveshjes për shkëmbimin e pengjeve mes Tel Avivit dhe Hamasit.
Sipas lajmit të gazetës "Yedioth Ahronoth", negociatat për shkëmbimin e pengjeve mes Tel Avivit dhe Hamasit filluan zyrtarisht me mbërritjen e delegacionit izraelit në Doha që kryesohet nga kreu i Mossad-it, David Barnea.
Kreu i Mossad-it, Barnea sot do të kthehet në Izrael, ndërsa ekipi izraelit i punës i nivelit të lartë që përbëhet nga zyrtarë të Inteligjencës Ushtarake (AMAN) dhe të njësisë së inteligjencës së brendshme Shin-Bet (Shabak) do të qëndrojë në Katar disa ditë.
Sipas lajmit, një zyrtar izraelit identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ka thënë se negociatat kanë filluar, se do të jenë të gjata, të vështira dhe komplekse dhe se nevojitet shumë durim. Ndërsa në lajmin e televizionit privat izraelit "Channel 12", thuhet se negociatat zhvillohen në një kompleks privat në një hotel në Doha.
Në lajm thuhet se ka një korridor që ndan dhomën e përfaqësuesve izraelitë nga dhoma e përfaqësuesve të Hamasit dhe se nuk pritet që ata të takohen dhe se ndërmjetësuesit e Katarit dhe Egjiptit do të veprojnë mes dy dhomave gjatë bisedimeve.
Sipas lajmit, një zyrtar izraelit identiteti i të cilit nuk njoftohet ka thënë se negociatat mund të zgjasin rreth 2 javë.
Zyrtari ka shprehur se përfaqësuesit e Hamasit në Katar nuk do të marrin vendim, sepse personi që do të marrë vendimin është lideri i Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar dhe se çdo pikë që do avancohet do të marrë kohë 24 deri në 36 orë deri sa të vijë përgjigjja e Sinwar-it.
Delegacioni izraelit nën kryesimin e kreut të Mossad-it, Barnea mbërriti dje në kryeqytetin e Katarit, Doha për raundin e ri të negociatave lidhur me lirimin e pengjeve. Sipas gazetës "Haaretz", në delegacionin izraelit ndodhen edhe kreu i inteligjencës së brendshme Shin-Bet (Shabak), Ronen Bar dhe Nitzan Alon, përgjegjës për dosjen për të rrëmbyerit dhe të zhdukurit në ushtrinë izraelite.
Gazeta "Haaretz" kishte pretenduar se negociatat për armëpushimin dhe shkëmbimin e pengjeve, Izraeli do t'i zhvillonte pa ndërmjetës, drejtpërdrejt me liderin e Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar.
Hamasi më 14 mars njoftoi se propozimin e tij lidhur me marrëveshjen për armëpushimin dhe shkëmbimin e pengjeve me Izraelin ua kishin përcjellë ndërmjetësve në Katar dhe Egjipt. Ndërsa në një deklaratë nga Zyra për media e kryeministrisë izraelite, ishte mbrojtur ideja se kërkesat e Hamasit në propozimin e tij të fundit ishin "të paarsyeshme"./aa