Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njofton se drejtori i Administratës në Komunën e Leposaviçit, njëherësh djali i zëvendësministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete Nikolla Radimiroviç, është arrestuar të shtunën nga policia e Serbisë dhe është dërguar në stacionin e policisë serbe në Rashkë.

 

Ministri Sveçla ka shkruar në Facebook se drejtori i Administratës në Komunën e Leposaviqit së bashku me të fejuarën e tij po mbahen të arrestuar për ‘arsyen e vetme se Nikolla është pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës’.

 

“Drejtori i Administratës në Komunën e Leposaviqit njëherësh djali i Zëvendësministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete Nikolla Radimiroviç, është arrestuar sot nga policia e Serbisë dhe është dërguar në stacionin e policisë serbe në Rashkë. Ai së bashku me të fejuarën e tij po mbahen të arrestuar për arsyen e vetme se Nikolla është pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se së bashku me babain e tij në vazhdimësi i kanë rezistuar presionit të Beogradit dhe bandave të tyre”, ka shkruar ai.

 

Sipas Sveçlës, ky arrestim është i padrejtë, si dhe është një dëshmi e qasjes destruktive e destabilizuese të qeverisë së Serbisë dhe hakmarrje pas suksesit të Kosovës të arritur dje dhe dështimit të tyre për të ndalur vendimin që Kosova të jetë nikoqire e lojërave mesdhetare 2030.

 

“Kërkojmë nga Beogradi që urgjentisht të lirojë Drejtorin Radimiroviq dhe të fejuarën e tij dhe të ndalojë presionet e aktet e jashtëligjshme ndaj shtetasve të Kosovës, veçanërisht ndaj atyre të etnisë serbe të cilët janë lojal ndaj shtetit të tyre, Republikës së Kosovës, e në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj”, ka shkruar Sveçla.