Dy trafikantë shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane së bashku me një shtetas italian.

 

Nga mediat italiane mësohet se ata janë kapur me 58 kilogramë drogë dhe një “mal” me euro, afërsisht 410 mijë euro cash.

 

Të arrestuarit ishin nën monitorim të policisë prej disa kohësh. Ata u kapën në shtëpinë e italianit, një 45 vjeçar. Shqiptarët janë të moshave 32 dhe 43 vjeç.

 

Në fund policia gjeti sasi të mëdha lënde narkotike të llojeve të ndryshme, material për peshimin dhe paketimin e drogës, si dhe një sasi të madhe parash cash dhe një makineri elektronike numërimi parash.

 

Konkretisht, hetuesit sekuestruan:

 

49 kilogramë hashash

 

8 kilogramë marihuanë

 

35 gram heroinë

 

50 gram ekstazi (96 doza totale)

 

770 cigare elektronike, të markave të ndryshme, të përbëra nga lëngu që përmban përqindje të lartë THC (përbërës aktiv i kanabisit)

 

410 mijë euro cash, në kartëmonedha të prerjeve të ndryshme, para që dyshohet se janë të ardhura nga veprimtaria e paligjshme e shpërndarjes së drogës.

 

Në fund, u zbuluan një sërë fletoresh dhe dokumentesh me numra dhe emra të koduar: një lloj “dokumentacioni kontabël”, një “regjistër” i vërtetë, përmbajtja e të cilit tani do të shqyrtohet nga hetuesit.