Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vizituar në spital policin Alban Rashiti, i cili u plagos në orët e para të mëngjesit të së dielës gjatë një sulmi në veri të Kosovës.

 

Kurti tha është kryer me sukses heqja e predhës së një granate nga trupi i policit, i cili pritet të lërë sot spitalin.

 

Kreu i qeverisë së Kosovës bëri me dije se nga ora 10:00, do të mblidhet Këshilli i Sigurisë, shkaku i zhvillimeve në veri ku edhe u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

 

“Operacioni i heqjes së predhës nga kraharori i majtë i policit Alban Rashiti është kryer me sukses sot në mëngjes. Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit. Gjatë vizitës në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së takova edhe familjen e Albanit e cila erdhi nga Velekinca e Gjilanit. Polici i plagosur Alban Rashiti do të lirohet sot nga spitali. Tash në ora 10:00 kemi mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës”,  u shpreh Kurti.