Duke filluar nga dita e sotme do të nisë Censi i Popullsisë dhe Banesave. Procesi do të vijojë për 6 javë, ku mbi 7 mijë e 500 anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë do të jenë në terren.

 

I gjithë procesi i Censit do të kryhet në mënyrë dixhitale përmes një tableti. Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera.

 

Pyetësorët janë me tetë module dhe 100 pyetje. Në modulin për individët do të përfshihet një informacion të gjerë për statusin civil, arsimin, punësimin e të tjera. Po ashtu, do të ketë modul për shtëpitë, sektorin e bujqësisë dhe sektorë të tjerë.

 

“Etniciteti, gjuha, feja”, janë tre pyetjet e vetme të formularit që nuk janë të detyrueshme për t’u përgjigjur.

 

Për ata qytetarë që nuk do t’u përgjigjen pyetjeve apo të japin përgjigje të rreme ka penalitete që nis nga 50 mijë Lekë gjobë.

 

Të dhënat e para të Censit të popullsisë pritet të prezantohen në qershorin e vitit 2023.

 

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censusi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923.