Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog ka qëndruar për vizitë në veri të Kosovës. Szunyog ka shkruar se gjatë kësaj vizite ka dëgjuar qëndrime të ndryshme për situatën aktuale.
Ai ka shkruar në rrjetin social X (ish-Twitter) të martën se zhvillimet e ditëve të fundit janë kujtesë e ashpër dhe tragjike “e asaj që është në rrezik për njerëzit që jetojnë në veri të Kosovës”. Po ashtu, ai ka shtuar se në rrezik është edhe siguria e të gjitha komuniteteve.
Szunyog është shprehur se të dyja palët duhet të japin kontribut në uljen e tensioneve.
“Gjatë një vizite në veri të Kosovës dëgjova zëra dhe perspektiva të ndryshme për situatën aktuale në terren. Zhvillimet e fundit janë një kujtesë e ashpër dhe tragjike e asaj që është në rrezik për njerëzit që jetojnë në veri të Kosovës, për sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj dhe për rajonin më të gjerë”, shkroi Tomas.
Sulmin në veri të Kosovës nga serbët, ai e ka quajtur të tmerrshëm.