“Një skenë apokaliptike: shembet barriera e mbikalimit, një autobus bie nga ura dhe përfundon në rrugën ngjitur në binarët e trenit në zonën Mestre, dhe merr flakë”.  Kështu shkruajnë mediat italiane për aksidentin tragjik të ndodhur në Venecia.

 

Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, 21 persona kanë vdekur, mes tyre dy fëmijë.  Ndërkaq 15 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Viktimat janë të nacionaliteteve të ndryshme.

 

Në bord kishte edhe shtetas ukrainas, gjermanë, francezë dhe kroatë. Shoferi ishte italian dhe ishte në mes të viktimave. Ndër hipotezat e para për shkaqet e aksidentit, sipas mediave italiane dyshohet se është humbja e vetëdijes nga shoferi.

 

Prokuroria Publike e Venecias ka hapur një çështje. Në orët në vijim do të analizohen pamjet nga kamerat e sigurisë për të kuptuar më mirë dinamikën e rrëzimit.

 

“Nga konstatimet e para nuk ka shenja frenimi – thotë komandanti i Policisë Bashkiake të Venecias, Marco Agostini i cili ka shkuar me shpejtësi në vendin e aksidentit – hipoteza është një sëmundje e mundshme e shoferit”. Për ata që ishin në bord ishte e vështirë të shpëtonin, autobusi në fakt mori flakë: flakët u përhapën pas përplasjes së tmerrshme, ndoshta të krijuar nga shpërthimi i rezervuarit të autobusit, i cili përmbante metan.

 

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ambulanca nga e gjithë zona, dhe dhjetëra makina policie. Autoriteti Shëndetësor Vendor 3 i Venecias ka aktivizuar protokollin e “urgjencave të mëdha”, i cili parashikon vënien në dispozicion të të gjitha dhomave të urgjencës spitalore dhe vendosjen në punë të personelit përforcues.

 

Dinamika është ende për t’u konstatuar, por nga gjetjet e para rezulton se autobusi ka rënë nga mbi dhjetë metra, një fluturim pasi ka goditur me dhunë barrierën mbrojtëse të dyfishtë të mbikalimit të rrugës lidhëse që të çon nga Mestre në drejtim të Marghera dhe autostradës A4. Më pas u rrëzua, u përmbys dhe përfundoi mes një magazine dhe shinave të stacionit të Mestres, duke marrë flakë.

 

Kryebashkiaku i Venezias Brugnaro shpalli ditë zie për atë që ai e konsideroi si tragjedinë më të rëndë dhe apokaliptike në komunitetin e tyre.