Dhjetëra persona janë plagosur pas një sulmi rus në rajonin jugor ukrainas të Khersonit më 8 tetor. Guvernatori rajonal tha se në mesin e të plagosurve është një grua 27-vjeçare dhe foshnja e saj nëntë muajshe.
“Rajoni Kherson përjetoi një tjetër natë të tmerrshme”, shkroi guvernatori i rajonit në aplikacionin Telegram.
Gruaja dhe foshnja u shtruan në spital, tha ai, duke shtuar se një mjek 33-vjeçar i Kryqit të Kuq u plagos gjithashtu.
Gjatë 24 orëve të fundit, Kremlini kreu 59 sulme në Kherson, tha administrata e rajonit në Telegram, duke përfshirë 19 raste të granatimeve të qytetit Kherson, qendrës administrative të rajonit.
Ndërkaq, hetuesit lokalë dhe të Kombeve të Bashkuara po kryejnë hetime për sulmin me raketa të kryer nga Rusia në fshatin Hroza të Kharkivit, ku u vranë mbi 50 persona.
Moska ka mohuar pjesëmarrjen në sulme. Këtë qëndrim Rusia e përsëriti edhe më 6 tetor, në përgjigje për sulmin në Hroza.
Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në buletinin më 8 tetor tha se forcat e tij po bënin përparim të ngadaltë në zonat e Melitopolit në jug, dhe në Bahmut në lindje. Po ashtu, shtabi raportoi për “sukses të pjesshëm në verilindje të Andrijivkës” në rajonin e Donjeckut, që gjendet më pak se 10 kilometra nga Bahmuti.