Një 58-vjeçar me inicialet T. M., u gjet i pajetë mesditën e djeshme. Policia bën me dije se nga veprimet hetimore dyshohet se 58-vjeçari duke punuar në pallatin në ndërtim, është rrëzuar nga një lartësi mes 2 kateve të parkingut dhe si pasojë ka humbur jetën.

 

Për këtë ngjarje është vënë në pranga E. N., 34 vjeç, banues në Fushë Mëzez, përgjegjës punimesh në pallatin ku u gjet i pajetë shtetasi T. M.

 

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. N., 34 vjeç, banues në Fushë Mëzez, përgjegjës punimesh në pallatin ku u gjet i pajetë shtetasi T. M., mesditën e djeshme. Nga verifikimet e kryera për këtë rast ka rezultuar se shtetasi T. M., 58 vjeç, ishte punësuar në mënyrë të paligjshme dhe nuk i ishin siguruar kushtet e mbrojtjes në punë. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi T. M., duke punuar në pallatin në ndërtim, është rrëzuar nga një lartësi mes 2 kateve të parkingut dhe si pasojë ka humbur jetën”-njofton policia.