Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka shprehu shqetësimin në lidhje me shifrat e fundit të INSTAT duke deklaruar se Shqipëria vijon të shuhet me ritme të frikshme.

 

“Shtesa natyrore, që mat diferencën mes lindjeve dhe vdekjeve në vitin 2022, është më e ulëta ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, që nga vitet kur ka filluar matja dhe raportimi i këtyre të dhënave”, u shpreh Caka.

 

Në një deklaratë për mediet, Caka theksoi se “shtesa natyrore po shkon drejt zeros dhe kjo është shifra më e ulët që nga viti 1934. Pra Shqipëria sot, në vitet e regjimit të Rilindjes, ka rritjen më të ulët edhe se në vitet ’39-’44, kur Shqipëria gjendej në vitet e Luftës së II Botërore”.

 

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022, është shënuar një rënie e lindjeve prej 13.5%, krahasuar me vitin 2021.

 

“Kjo është një goditje shumë e rëndë për Shqipërinë, e cila po vuan pasojat e një shpopullimi masiv dhe gërryes”, tha Caka.