Kryeministri Edi Rama ndau këtë mbrëmje fotoalbumin e javës që po mbyllet, me ngjarjet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe kulturore.

Kryeministri ndau sot në rrjetet sociale fotoalbumin e mikpritjes vëllazërore në Ankara nga presidenti turk Erdogan, takimi dypalësh kokë më kokë mes tyre dhe drejtimi i mbledhjes së bashkëpunimit të nivelit të lartë midis dy vendeve, me pjesëmarrjen edhe të disa prej ministrave të kabineteve qeveritare respektive.

Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Shqipërisë u nënshkruan po ashtu disa marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi dypalëshe në fushën e mjedisit, mbrojtjes, të medias dhe komunikimit, etj.

Fotoalbumi i Kryeministrit ndaj pamje nga takimi online që kreu i qeverisë dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste zhvilloi me Asamblenë e PS, ku u diskutuan hapat e mëtejshëm organizativë për të zgjeruar partinë drejt zgjedhjeve të vitit 2025.

Në fushën e kulturës një aktivitet i rëndësishëm në javën që po lëmë pas ishte ekspozita e hapur më 22 shkurt, në prag të 2-vjetorit të agresioni rus në Ukrainë, në Qendrën për Hapje dhe Dialog, me 50 imazhe fotografike nga fronti i luftës në Ukrainë, foto që përçojnë dramën dhe përpjekjet e ukrainasve për të mbrojtur atdheun e tyre dhe demokracinë.

Si kryetar i PS dhe si zëvendëspresident i Internacionales Socialiste në mandatin e dytë të tij, Rama mori pjesë në takimin e Këshillit të Internacionales Socialiste, në Madrid, Spanjë. Ai ndan foto nga aktiviteti i zhvilluar.

“Rrugët e Shkodrës n’Karnaval” përbënte aktivitetin më të rëndësishëm kulturor në javën që po lëmë pas, foto nga i cili i përcjell edhe Kryeministri. Kostumet shumëngjyrëshe dhe maskat veneciane sollën një atmosferë magjike në qytetin e Shkodrës për 3 ditë me radhë, duke mbledhur nga data 23-25 shkurt nxënës, të rinj dhe qytetarë të moshave të ndryshme./ata