Dosjet e vrasjeve të pazbardhura në Tropojë pas vitit 1997 mbeten ende një “patate e nxehtë” në duart e policisë dhe prokurorisë. SPAK ka një hetim të hapur me kallëzuese dhe dëshmitare kryesore Aishe Hajklajn, motrën e vëllezërve nga fshati Kërnajë ndërkohë ministri i brendshëm Taulant Balla, gjatë vizitës së tij të parë në Tropojë të shtunën, 16 dhjetor, riktheu vëmendjen tek vrasjet e pa zbardhura duke kërkuar hetimin e tyre dhe identifikimin e autorëve.

Trazirat e vitit 1997 me armatosjen e popullatës, lufta në Kosovë, përplasjet politike dhe vrasja e Azem Hajdarit, prodhuan një zinxhir ngjarjesh të rënda kriminale që lanë pas shumë viktima, ndërsa autorët mbetën të pa zbuluar.

Burime për “Report TV”, thanë se pjesa më e madhe e vrasjeve pa autor të cilat lidhen me Tropojën, janë të arkivuara në policinë lokale atje dhe në Kukës, me detyra të lëna “për zbulim autori”. Koha e gjatë e kaluar nga ngjarja, largimi i dëshmitarëve, mungesa apo dëmtimi i provave, sipas burimeve kanë qenë pengesa kryesore.

Pas kërkesës së Ministrit të Brendshëm në policinë e Tropojës, ku prezent ishte edhe drejtori i qarkut Artan Bajraktari, policia do të krijojë grupe të posaçme me qëllim rihapjen e hetimeve.

Burimet thanë se dhjetëra dosje kriminale, për vrasje me armë, plagosje, ekzekutime me snajper, prita me eksploziv etj, shpesh me më tepër se një viktimë, do të rishqyrtohen. Po kështu e angazhuar do të jetë edhe policia shkencore me kryerjen e ekspertizave dhe ekzaminimeve të reja që mund të ndihmojnë rihapjen e hetimeve, sidomos tashmë që në duar kanë aparatura më të avancuara dhe të kohës.

Informacionet e provat e reja do t'i paraqiten prokurorisë për vlerësim me qëllim rifillimin e procedimeve penale dhe kryerje ne veprimeve të tjera shtesë që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.

Ndërkohë për serialin e vrasjeve me armë, sulmeve me snajper dhe pritave më eksploziv ndaj anëtarëve të fisit Haklaj dhe personave të afërt apo bashkëpunëtorë të tyre, hetimi është i hapur nga prokuroria e Posaçme. Më 28 prill Aishe Haklaj, motra e madhe e familjes Haklaj udhëtoi nga Suedia për tu marrë në pyetje për më shumë se 12 orë nga prokurorët e SPAK.

Report Tv mësoi atëherë se ajo dëshmoi për denoncimin e korrikut të vitit 2021, ku akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha për vrasjen e 4 vëllezërve të saj, Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj. Ajo u mor në pyetje nga vetë kreu i SPAK, Altin Dumani dhe prokurorja Elida Kaçkini, ndërkohë që shoqërimi i saj u bë me masa të posaçme mbrojtje nga policia.

Përveç Sali Berishës të kallëzuar në SPAK janë edhe 15 persona të tjerë, që akuzohen si banda e armatosur dhe një organizatë kriminale që drejtoheshin dhe vinin në zbatim urdhrat e ish kryeministrit. Në kallëzim thuhej se pjesëtarë të këti grupi kriminal ishin Haki Hoxha, Përparim Hyka, Myftar Lumneshi, Hajredin Haluci, Tahir Hoxha, Iljaz Hoxha, Ilir Hoxha, Selim Hoxha, Agim Hoxha, Cut Neza, Sadri Neza, Xhafer Hoxha, Medi Hoxha dhe Guxim Byberi.

Kronologjia e vrasjeve pa autor në Tropojë 1997-2002
16 qershor 1997
Vritet në dalje të urës së Milotit, Sokol Haklaj, ndihmësgjyqtar në rrethin e Skraparit, autorët e këtij krimi janë të pazbuluar

5 janar 1998
Vritet në Qafën e Luzhës, në një atentat me armë zjarri automatike Shkëlqim Haklaj dhe Artur Demiri, kunati i Fatmir Haklajt

5 janar 1998
Vriten në afërsi të fshatit Cërnicë Avdyl Matoshi, Gjon Kolbuçaj dhe Naim Dizdari. Autorët e këtij krimi janë të panjohur

9 janar 1998
Vritet brenda qelive të komisariatit të Bajram Currit oficeri i policisë së kufirit, Shaqir Hoxha. Askush s'është dënuar për këtë ngjarje

13 janar 1998
Persona të armatosur grabisin 480 milionë lekë në bankën e Tropojës dhe marrin peng policin e shërbimit, autorët të panjohur

12 shtator 1998
Vritet në Tiranë deputeti i PD-së Azem Hajdari dhe Besim Çera. Prokuroria akuzoi se autorë direkt, Fatmir Haklaj dhe Jaho Salihi, por shumë elemente e detaje të ngjarjes, kanë mbetur të paqarta megjithëse gjyqi për krimin u cilësua si procesi i shekullit në Shqipëri

29 tetor 1998
Grabitet serish banka e kursimeve të Bajram Currit, grabitësit që dyshohen të kenë qenë me uniforma policie morën 620 milionë lekë

4 gusht 1999
Vriten në afërsi të fshatit Cernicë, me mina të telekomanduara Halil Haklaj e Feriz Kërnaja, plagosen rëndë Fatmir Haklaj e Fatmir Daka

4 gusht 1999
Vriten në qendër të qytetit të Bajram Currit, Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti, autorët e këtij krimi nuk janë zbuluar ende nga shteti

13 tetor 1999
Vritet koloneli Jonuz Hyka së bashku me dajën e tij Musli Gjoçaj në lagjen Partizani të Bajram Currit. Vrasësit janë të pazbuluar

4 nëntor 1999
Vritet në një pritë në fshatin Bujan, 50 metra larg banesës së Jaho Salihit, Fatmir Haklaj dhe Sami Kërnaja, plagoset Jaho Salihi

13 shtator 2000
Sulmohen me armë snajper nga një komando, në fshatin Kërnajë, Haklajt. Autorët tentojnë të vrasin Hamdi Haklaj dhe Ylli Haklaj, por dështojnë

3 dhjetor 2000
Vritet më armë snajper nga një komando me njerëz të armatosur, vetëm Ylli Haklaj dhe plagoset Bilbil Selivrada. Vrasësit mbetën të panjohur

28 mars 2001
Sulmohen me armë zjarri nga një komando me njerëz të armatosur Haklajt. Shkëmbehet zjarr për më shumë se 30 minuta, s'kishte viktima

31 tetor 2001
Hidhet në erë pallati ku banonte deputeti Azgan Haklaj, vritet Shote Haklaj dhe plagosen tre persona të tjerë, autorët mbetën të pazbuluar

2 prill 2002
Vriten në lokalin "Ervin" në qytetin e Bajram Currit, Rasim Lumneshi dhe Ilir Gosturani. Vrasësja këtë herë është Zylfie Haklaj, vajza e familjes
8 maj 2002
Ekzekutohen në orët e mëngjesit në një atentat pranë spitalit të qytetit Elez Haklaj, 70 vjeç dhe djali i tij Cen Haklaj, 43 vjeç, mësues në Gjimnazin e Tropojës, të dy të afërm të fisit Haklaj. Autorët largohen dhe djegin makinën në rrugën në një zonë malore mes qytetit të Bajram Currit dhe Valbonës.