30 milionë euro kredi shteti shqiptar i ka dhënë shoqërisë publike Albcontrol, përmes Aktit Normativ të miratuar pak ditë më parë, ku rishikoi buxhetin 2023 me lëvizje brenda institucioneve.
“Fondi prej 3 000 milionë lekësh në tabelën nr. 4 të këtij ligji përdoret në formën e huadhënies nga buxheti i shtetit për shoqërinë e navigimit ajror,” thuhet në Aktin Normativ.
Është e paqartë se cili do të jetë destinacioni i parave të akorduara në formën e huadhënies ndërkohë që raportohet se Albcontrol të ketë probleme financiare pas raportimit se rreth 100 milionë eurove në llogaritë e saj pranë Eurocontrol që mund të përdoret për të dëmshpërblyer biznesmenin italian Francesco Becchetti , në një proces gjyqësor i cili vijon ende në arbitrazhin ndërkombëtar.
Si rrjedhojë prej 3 vitesh, çdo e ardhur që Albcontrol fiton nga tarifimi i hapësirës ajrore mbahet e bllokuar si një kundërmasë për ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit dhe shoqëria ka humbur burimin kryesor të të ardhurave.
Situatën e vështirë të Albcontrol e kanë konkluduar edhe 3 auditues të pavarur që kanë paralajmëruar qeverinë se kriza financiare e shoqërisë, jo vetëm krijon problematika që ndikojnë në kryerjen e aktivitetit të saj të përditshëm, por kanë një risk edhe më të madh.
“Gjatë kryerjes së procedurave të auditimit kemi ndeshur në informacione publike, si rrjedhojë e vendimit të Gjykatës së Apelit në Bruksel, që mund të krijojnë ekzistencën e një pasigurie materiale mbi aftësinë e shoqërisë për të vazhduar në vijimësi”
Edhe verën e vitit 2022 Albcontrol mori 7 milionë euro kredi emergjente nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, ndërsa në fund të vitit mori edhe 19 milionë euro të tjera kredi nga Autoriteti i Aviacionit Civil.