Dr. Erion Dasho ka folur sot për nënvariantin e ri të COVID-19, JN.1 që ka filluar të shfaqet në disa vende dhe nëse duhet të ndihen të shqetësuar qytetarët shqiptarë.

Me telefon nga Gjermania, Dr. Dasho shprehu kënaqësinë e tij në Kafe Shqeto në SYRI TV  se ndihej i vlerësuar që e quanin mik të emisionit dhe që kishte mundësinë për të komunikuar me qytetarët shqiptarë, që t’i qetësonte ata në lidhje me këtë variant të ri që është shfaqur.

“Ky është një nënvariant i atij BA28, se ky është i pari variant që ka një emër që mbahet mend më lehtë - tha Dr. Dasho - dhe është një nënvariant, që ashtu sikurse pritej, ndodh prej aftësisë që ka virusi i COVID për të ndryshuar dhe pësuar mutacione të shpeshta.

Është parashikuar një luftë e përjetshme midis COVID dhe njeriut; pra, kur COVID herë pas here do të ndryshojë formën e vet ashtu sikurse prej mijëra vitesh bën virusi i gripit dhe shumë viruse të tjera, edhe ky virus arrin që t’i shmanget në një shkallë imuniteti të krijuar ndaj atyre varianteve dhe nënvarianteve paraardhës. Por, fatmirësisht, sipas të gjitha të dhënave që kemi deri tani nuk shkakton forma të rënda të sëmundjes.

Natyrisht ka fituar aftësi për t’u përhapur më shpejt dhe sot në SHBA, prej nga vijnë dhe të dhënat statistikisht më të besueshme, janë rreth 20% e rasteve të infektuar nga ky nënvariant, por pritet që brenda dhjetorit ky të bëhet varianti dominues me mbi gjysmën e rasteve.

Fatmirësisht është një variant që nuk shkakton klinikë më të rëndë. Shkakton të njëjtat shenja që tashmë janë bërë tipike për COVID, siç është për shembull temperatura, dhimbja e fytit, pak sekrecione nga hunda, dhimbja e kokës, ato shenjat tipike që ishin në fillim.

Humbja e shijes, humbja e nuhatjes janë bërë më pak të shprehura dhe nuk janë më ato shenja patognomike, gati patognomike që themi ne në mjekësi, sepse ishte vetëm për virusin e COVID, por në fillimet e pandemisë, një nga shenjat tipike, ishte humbja e nuhatjes dhe e shijes. Pra, këto janë bërë më pak të shprehura me këto variantet e reja.

Lajmi i mirë është që virusi  ende vazhdon të reagojë dhe të shfaqë forma shumë më të lehta te personat e vaksinuar. Kjo thekson edhe njëherë rëndësinë e vaksinës, tashmë jo më masivisht se nuk jemi në kushtet e pandemisë, por vaksina rekomandohet për personat mbi 65 vjeç ose në disa vende mbi 60 vjeç, se në vende të caktuara kanë politika të caktuara.

 

Edhe në Shqipëri duhet të kemi të njëjtin përafrim, pra personat mbi moshën 65 vjeç duhet të vaksinohen me qëllim që të jenë më të mbrojtur ndaj varianteve të reja të COVID dhe siç e kanë parashikuar ekspertët, do të vijnë duke ndryshuar, do të vijnë duke u përhapur dhe do të bëhen një nga ato virozat tipike të stinës, të cilat, që prej lindjes së njerëzimit, e kanë shoqëruar njeriun në sezone të caktuara.”